Copy Code

Po bëheshin gati për të kultivuar kanabis, dy vëllezërit kapen mat me arsenal armësh

Dy persona janë vënë në prangat e policisë së Beratit në kuadër të operacionit të koduar “Osoja”, të kapur në flagrancë me armë, municione dhe fara kanabis sativa.

Në sajë të një hetimi një mujor, u bë arrestimi në flagrancë i vëllezërve Kalem Muçaj, 51 vjeç dhe Elmas Muçaj, 41 vjeç, të dy banues në fshatin Osojë të Skraparit.

Nga hetimet e kryera rezultoi se vëllezërit Muçaj dispononin armë zjarri dhe po përgatiteshin për të kultivuar bimë narkotike.

Në kuadër të operacionit, pasditen e kësaj të mërkure u ushtrua kontroll në banesat e tyre.

Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 69 fara bimësh narkotike kanabis sativa, dy automatike model 56, katër krehëra automatiku dhe 4 711 fishekë.

Ndaj vëllezërve Muçaj hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Beratit për veprën penale, “Prodhimi dhe shitja të lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajta pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.