Poezi emocionale për motrën dëshmore të UÇK-së: Ma e bukura lule e bjeshkës mbete t’i motër!

Rajmonda Maleçka, ish-luftëtare e UÇK-së ka përkujtuar motrën e saj, Luljeta Shalën, e cila së bashku me bashkëshortin u vranë në malet e Pashtrikut.

DrenicaPress e sjell të plotë poezinë që shkrimtarja Maleçka i kushton motrës së ndjerë.

Luljeta Jahir Shala

A mos ke mendue se dhe nji lule ma shumë i duhet Pashtrikut,
Po një lule-lulesh e don plaku i moçëm i Dardanis sonë,
I liget zemra, i dridhet dora, i loton syni malit të lartë,
Si i fshihen pas drurëve drenushës kosovare, që po i kërkon.

A mos kujtove se nëpër guvat e shkëmbinjve nëpër dimnat me borë,
Fshihen lulet e Pashtrikut e ai dhimbë ka pastaj,
Ma e mira dhe e bukura lule e bjeshkës mbete t’i motër,
Sado të lulëzohet bjeshkë e Pashtrikut në prill e në maj.

A mos mendove se krejt luftëtarët që ranë e shkuan në Pashtrik,
Ia dogjën kraharorin e pranverat ia kallën në flakë,
Po lulet e rralla të bjeshkëve tona kanë vaditë ato moj motër,
Ia kanë freskuar ballin, që ai kurrë të mos ndihet plak.

A thue motër, shpirti i motrës shqiptare të doli kraharorit,
E n’kraharorin e malit të shenjtë me luftëtarë erdhi, u ndal,
Duan duart e tua të buta e sytë ledhatarë, krejt të rënët atje.
T’ua mëkoje plagët e thella e zjarrmininë t’ua ulje në ball.

Në malin e luftës, legjendarve, rrëfenjave për kreshnikë e zota,
Nuk ka motra për ty, me ba kuvend për dhimbjet, vajet,
Po dije mirë motra shqiptare, nga varri çohem si Gjergj Elez Alia,
Nëse një ditë të zezë në malet tona nji bajloz tjetër shfaqet.

Jemi me qindra e mijra motra jonë në karakollin tonë të moçëm,
Gjithë në vendin e vet, nga mëngjesi në mbrëmjë në shëtitjen e tij,
Po ah, malli për njëri-tjetrin shumë ju zë, njëri-tjetrin dot se takoni.
Prisni nëpër ditë-netët e gjata tek ju ndonjë luftëtarë i gjallë të vij.

Jemi me qindra e mijra motra jonë që në shtatoren tonë,
Zgjatë duart i kemi, por ti provë Rozafe për lirinë bëre në Pashtrik,
Kurm femërorë, bardhësi e dhimbë për të rënët i ke dhënë “kështjellit”
Si Rozafa në kështjellë ka mijra vjet dhe ti baba malit s’po i ik…

Lulet me lulet për jetë, por dhemb shumë zemra jonë për ty,
Luljetë, është i vështirë Pashtriku, ditë e natë motra jonë, e ti aty,
Por ti hesht gjithmonë, siç heshtin gjërat e mençura në kët botë,
E kjo heshtje e bukur në gjithë Kosovën tonë kurorë drite po të rri…