Rasti “Kumanova”, Ajdini: Çfarë faji kam unë që e kam shtëpinë në lagjen e trimave?

I akuzuari tjetër, Besnik Ajdini, kërkoi llogari prej gjykatës se përse e ka arrestuar dhe përse e akuzon, në bazë të cilave prova ka ardhur në përfundim se ai ka marrë pjesë në luftime dhe i ka ndihmuar grupit. “Çfarë faji kam unë që e kam shtëpinë në Lagjen e Trimave?”, pyeti Ajdini prokurorinë, raporton Televizioni SHENJA.

“Prokuroria kur e dha fjalën e fundit, më akuzoi për vepra të mëdha. Unë nuk i kam bërë këto vepra. Prej ditës që jam arrestuar e deri më sot, nuk kam arritur ta kuptoj përse jam këtu. A kam faj se e kam shtëpinë në vend të gabuar? Të gjithë e dinë se kur kam qenë i arrestuar”, tha Ajdini.

Avokati i Ajdini ia kujtoi prokurorisë se është kapur në kundërshtim me vetë provat e saj pasi në akuzë ka shënuar se Besnik Ajdini është arrestuar më 10 maj në ora 16:45 ndërsa në raportin policor figuron se Besnik Ajdini ka qenë në stacion policie që më 9 maj, në ora 9:30, menjëherë pasi ishte evakuuar me familjen nga lagjja.

Avokati Kurtishi i e quajti akuzën të turpshme për shtetin dhe prokurorinë dhe e cilësoi si simulim gjykimi për të treguar aftësinë  e prokurorëve. Gjithë kjo sipas tij, për të mbuluar organizatorët e vërtetë të këtij rasti.