Copy Code

Rexhep Memedi: Lëvizja BESA, në përcaktimet e saj programore është e angazhuar dhe punon seriozisht që R. e Maqedonisë të bëhet antare e BE-së dhe NATO-s

Lëvizja BESA, ashtu siç e ka thënë shumë herë, në përcaktimet e saj programore është shumë e angazhuar dhe punon seriozisht që Republika e Maqedonisë të bëhet anëtare e Bashkimit Europian dhe e NATO-s. Integrimi, në programin e Lëvizjes BESA, është menjëherë pas Zhvillimit. Madje, ne konsiderojmë se edhe zhvillimi është i varur në shumë pika nga integrimi.

Duke qenë thellë të përkushtuar në këtë drejtim, ne e kemi thënë shumë herë se jemi të gatshëm edhe për kompromise për ta arritur këtë synim. Dhe, tash – kur në horizont e kemi ftesën për anëtarësim në NATO – e cila është e kushtëzuar me miratimin e marrëveshjes me Republikën e Greqisë, ne jemi para dilemës se kah duhet të shkojmë. Po e shtoj këtu edhe elementin tjetër se në horizont po ashtu duken ambicie për ndryshim të kufijve në Ballkan, që sigurisht është e rëndë vetëm të mendohet si e tillë. Dhe, kur gjërat i kundrojmë kështu dhe, e dimë, se të gjitha shtetet ballkanike, si ne, kanë paguar çmime edhe më të larta për shtetësinë e tyre, ne duhet të jemi koshientë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është çelës i stabilitetit të këtij shteti, ndërsa – nëse i citojmë disa kolegë politikanë maqedonas – mund të themi se është edhe faktor i mbijetesës së tij. Ndërkaq, të gjithë ne jemi të interesuar thellësisht që Maqedonia jo vetëm të mbetet, por ajo të jetë një vend stabil dhe i zhvilluar. Prandaj, kur i kemi në konsideratë këto ideale, që janë idealet e shumë gjeneratave, Lëvizja BESA do ta mbështesë fuqimisht referendumin, do të bëjë thirrje që ai të kalojë në mënyrë të suksesshme, madje edhe do të organizojë fushatë për të.