Copy Code

Shqipëria hap negociatat për anëtarësim në BE

Shqipëria ka marr rekomandim pozitiv për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka prezantuar zyrtarisht para Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian Raportin e Progresit për vendet që duan të bëhen pjesë e BE-së, përfshi këtu edhe Shqipërinë.

Në një konferencë të përbashkët për media me Komisionerin për Zgjerim Johannes Hahn në Bruksel, Mogherini tha se Ballkani Perëndimor është Evropë dhe do të jetë pjesë e së ardhmes së BE-së.

“Sot, kolegji miratoi paketën vjetore të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Është në interesin tonë të kemi një politikë të suksesshme të zgjerimit. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe do të jetë pjesë e së ardhmes evropiane. Kjo është në interesin tonë më të mirë “, tha ajo.

Mogherini tha se çdo shtet vlerësohet në bazë të meritave personale dhe përparimit që e bën në reforma.

“Vitin e kaluar, partnerët tanë në Ballkan kanë ndërmarrë shumë reforma të rëndësishme, prandaj vendimi për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë”, tha Mogherini.

Në anën tjetër, Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn tha se Këshilli Evropian njeh progresin që ka bërë Shqipëria, por nënvizoi se vendi duhet të vijojë reformat, sidomos në drejtësi dhe se ky është vetëm fillimi i procesit për Shqipërinë.

Vendimi për nisjen e negociatave u përshendet nga Përfaqësuesja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin.

“Shqiptarët meritojnë t’u njihen përpjekjet që kanë bërë për anëtarësim. Sot, ata kanë arsye për t’u gëzuar”, tha ajo.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Shqipëria ka hapur një kapitull të ri si shtet.

“Sot kemi kaluar sprovën historike të ngjitjes në një shkallë të re si vend dhe si popull. Jemi rekomanduar pa asnjë rezervë nga Komisioni Evropian si shtet që mund dhe duhet të ulet në tryezën e negociatave për të hyrë në familjen e shteteve anëtare të Europës së Bashkuar”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se Shqipëria ia doli “këtij provimi të stërvështirë” dhe se vendi ka tjetër status në arenën ndërkombëtare.