Tango e partnerëve strategjikë apo lojë ritmike pa partner

Çka bëjmë me partneritetin shqiptaro-amerikan në kohën post-Willsoniste, në kohën e Amerikës izocionaliste të Trump-it? Cili është interesi e cili është partneriteti strategjik? Çka nëse kjo politikë izocionaliste e Amerikës vazhdon edhe pas Trump-it? Çka nëse lufta tregtare ndërmjet Amerikës e Evropës (Gjermanisë) mbaron me ushtri evropiane (gjermane) dhe zhbërje të NATO-s? Çka me fuqitë e reja, që paraqiten në regjion, si Kina, Turqia e Rusia?

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Sot pothuajse është turp të thuash se marrëdhëniet amerikano-shqiptare nuk janë strategjike e historike, pa dyshim edhe të përhershme. Por, sa janë strategjike, sa janë historike dhe sa do të zgjasin, si duket pakkush e ka idenë. Nuk flitet as për gjenezën, as për shkaqet e arsyet e kësaj miqësie strategjike dhe historike. Se sa janë historike, mjafton të përkujtohemi se si u themeluan marrëdhëniet e para diplomatike shqiptaro-amerikane, kur u vendosën, në çfarë rrethanash dhe për çfarë qëllimesh. Pastaj, kur u ndërprenë, në çfarë rrethanash dhe për çfarë arsyesh, e pastaj si u rivendosen përsëri për t’u bërë strategjike? Thuhet se kontaktin e parë me këtë kontinent e kanë bërë kolonitë shqiptare, që migruan atje ka fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë në Boston, ku funksiononte shoqata “Vatra” dhe ku bënte pjesë edhe Fan Noli. Marrëdhëniet diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë u vendosën në vitin 1922, për t’u ndërprerë në vitin 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Këto që sot i kemi me Shqipërinë u ripërtërinë në vitin 1991, pas 52 vjetësh ndërprerjeje, kurse me Kosovën është një storje tjetër. Një argument për miqësinë historike të popullit shqiptar me atë amerikan mund të merret angazhimi i presidentit amerikan Woodrow Wilson për njohjen e pavarësisë dhe kufijve të shtetit shqiptar në vitin 1919 dhe për t’u bërë anëtare e Lidhjes së Kombeve në vitin 1920. Por, çka i shtiu amerikanët apo administratën e asaj kohe që ta njohë Shqipërinë si shtet të pavarur? Sipas Haris Silajxhiqit, që ka doktoruar në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, në bazë të arkivave të Uashingtonit, shkaku kryesor ka qenë një garë ndërmjet shteteve të Perëndimit dhe Amerikës se kush do t’i marrë koncesionet e rezervave të naftës, që supozohej se i posedon Shqipëria. Nëse këto janë motivet, nuk mund të flasim për partneritet strategjik sa për koincidencë interesi, që mund të përshkruhet si “njohje për

koncesione”.

Megjithatë, a kishte edhe interes strategjik Amerika për këtë miqësi? Përgjigjen në këtë mund ta gjejmë në gjenezën e promovimit te panamerikanizmit, që do të fillojë me presidentin Woodrow Wilson. Ai ishte njeriu që e nxori këtë vend nga izolimi, për ta bërë faktor dhe lojtar ndërkombëtar. Duke pretenduar të jetë faktor edhe në Evropë, besoj se nuk ishte e parëndësishme kush do ta kontrollonte Otranton, një ngushticë tejet strategjike për këtë kontinent. Në lojë është Rusia e madhe dhe shqiptarët, një popull i vogël, i varfër, ekzistenca e të cilët varet nga një fuqi e jashtme. Sa mund të ishin shqiptarët adekuatë me karakteristikat që i përshkruam për një rol të tillë? Nga perspektiva e një superfuqie në ngritje, siç ishte Amerika, ata ishin si të porositur për të qenë mbrojtës besnikë dhe të denjë të kësaj pike strategjike. Një populli autokton, josllav, me shumicë myslimane, por që tutori i saj, Perandoria Osmane, kishte ikur për të mos u kthyer, i duhej një mbështetje prej një shteti jashtë regjionit. Të lënë në diell të hapur, pa çadrën e Perandorisë, të vetmuar në një mes armiqësor sllavo-ortodoks, vetëm ata ishin të gatshëm që t’ia dhurojnë Amerikës besnikërinë për siguri. Por, kjo lidhje që krijohej në këso rrethana, në momente frike dhe pasigurie për shqiptarët, nuk mund të ishte një zgjidhje racionale mirë e menduar, siç ishte nga ana amerikane, përveçse një instinkt për mbijetesë. Andaj, pas dështimit të idesë së Wilson-it për Lidhjen e Kombeve si mekanizëm për t’i ndaluar luftërat në Evropë dhe më gjerë, në prag të një lufte të re botërore shqiptarët përsëri u ndjenë të rrezikuar. Andaj, ambiciet e Italisë për t’i futur nën sqetullat e veta më tepër do ta shohin si shpëtim sesa si pushtim. Ndoshta mund të jenë joshur me idenë se mund ta realizonin një ëndërr shekullore të bashkimit kombëtar, për shkak se Italia e atëhershme ishte në anën e errët të historisë, në boshtin e së keqes, kjo solli deri te ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Amerikën.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore amerikanët nuk mund ta përkrahnin qeverinë e Ballit Kombëtar në krye me Mitˋhat Frashërin, ngase ai shihej si përkrahës i nazizmit, edhe pse nuk ishin të lumtur që pushtetin ta marrë një komunist si Enver Hoxha. Ata duhet të kenë qenë të vetëdijshëm se afërsia ideologjike e Shqipërinë me Rusinë do ta sillte këtë të fundit në Adriatik, në ngushticën e Otrantos. Fërkimet do të eskalojnë kur Enver Hoxha i shpalli luftë imperializmit, kurse eksponent i saj, kuptohet, ishin SHBA-të. Kjo bëri që në vitin 1946 amerikanët ta tërheqin misionin e tyre nga Shqipëria, ndërsa ajo t’i hidhet në përqafim Bashkimit Sovjetik, gjegjësisht Rusisë.

Në këtë situatë Perëndimi, në krye me SHBA-të, nuk qëndroi duarkryq. Ata bënë diçka të papritur: e izoluan Shqipërinë, duke e transferuar Jugosllavinë e Titos në një tampon zonë ndërmjet blloqeve. Kështu, ish Jugosllavia me Perëndimin funksiononin si një bllok me dy sisteme, kurse me Lindjen, si një sistem në dy blloqe. Nga ana tjetër, Greqia – paraprakisht – kishte mbetur komplet në zonën perëndimore të interesit si edhe Turqia. Me këtë u arritën dy qëllime: një, lidhja territoriale tokësore e Shqipërisë me shtetet satelite të Rusisë në kuadër të Bashkimit Sovjetik u ndërpre dhe dy, ishte pamundësuar dalja e Rusisë në detet nxehta. Kjo nënkuptonte edhe humbjen e peshës gjeopolitike të Shqipërisë, saqë një lidhje eksterritoriale ishte shumë e shtrenjtë për t’u mbajtur gjallë me Rusinë. Në këso rrethana sikur u gjet një koincidencë interesi ndërmjet blloqeve, që Shqipëria të mbetej një oazë e izoluar e cila prej vetvetes do të venitet, kurse fati i saj do të rishqyrtohet në një kontekst të ri. Jorastësisht Margaret Thatcher, para rënies së komunizmit në këtë vend, do të deklarojë: “Shqipëria është një kufomë e madhe, që kur do të hapet, kumbimin e erës do ta ndjejë tërë Evropa” (besoj se e citoj mirë). Ashtu edhe ndodhi. Përderisa Shqipëria mbante një lidhje fiktive me Kinën si garantë siguria, ajo në vetvete ishte në proces të zhbërjes së brendshme.

Fundi i Bashkimit Sovjetik dhe rënia e komunizmit si ideologji ishte kontesti që pritej për t’i dhënë kahe të re Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kësaj radhe ata që do t’i determinojnë marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do të jenë shqiptarët që jetonin në ish Jugosllavi. Si ndodhi kjo?

Pasi ishte e qartë se tanimë blloku komunist rrënohet, pyetja ishte çfarë bëjmë me Jugosllavinë e Titos? Ajo gjatë luftës së blloqeve ishte ndarë, në raport fifti-fifti ose 50% zonë interesi e Perëndimit dhe 50% zonë interesi e Lindjes. Edhe pse Bashkimi Sovjetik zhbëhej, ëndrra ruse për dalje në dete të nxehta nuk u shua. Ngjarjet që do të pasojnë në zhbërjen e kësaj krijese, sa do të jenë përcaktuese për popujt që jetonin në ish Jugosllavi, po aq do të jenë përcaktuese edhe për ata që dolën prej Bashkimit Sovjetik.

Përqafimi i demokracisë liberale, si vlerë perëndimore, nga ish shtet komuniste nuk ishte e mjaftueshme për t’u shkëputur prej “sovjetizmit”. Pasi e ndërruan sistemin komunist me atë demokratik, atyre u nevojitej “de-sovjetizimi” për t’u integruar tërësisht me Perëndimin. Kur nuk do të ndodhte ky proces nëse këto shtete nuk do të futeshin nën kontrollin e një fuqie të fortë, siç ishte NATO? Me një fjalë, “de-sovjetizimit” i nevojitej alternativa e “natoizimit”. Por, NATO në këtë kohë ishte në bregun tjetër të Adriatikut, në Itali dhe në Egje, Greqi. Kjo e fundit nuk ishte fare e gatshme, në mos armiqësore, për të pritur trupat e reja amerikane, me qëllim të depërtimit të mëtejshëm në ish shtet e Bashkimit Sovjetik. Më saktë, për një operacion të tillë nevojitej një ambient më miqësor, ku këto trupa amerikane (NATO-s) do të stacionohen për ta vazhduar lëvizjen kah Evropa Lindore. Ky ambient mund të gjendej vetëm te shqiptarët, veçanërisht tek ajo pjesë që përjetonte të zitë e ullirit prej popujve sllavë dhe ishin para shfarosjes prej Millosheviqit. Prapë një koincidencë interesi e të fortit dhe të dobëtit, e një ambicie për dominim dhe një mundësie për mbijetesë, Amerikës dhe shqiptarëve, në këtë rast të atyre jashtë kufijve të shtetit amë, do të jetë përcaktues për këto marrëdhënie. Shqiptarët kërkonin shpëtim, ndërsa amerikanët pozicionim. Intervenimi i NATO-s në Kosovë në rrethana dramatike për shqiptarët ishte moment më se i nevojshëm, që bëri një lidhje emocionale me Amerikën si bartëse e idesë për intervenim, bile edhe pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Shqiptarët e fituan lirinë, ndërsa Amerika miqësinë. Miqësinë dhe një truall të sigurt kah do të mund të marshonin më andej, jo me luftë, por në paqe. Pasi ta ketë kaluar Adriatikun dhe pozicionuar mirë në Bonstill, filloi procesi i zgjerimit të NATO-s në ish shtetet komuniste anëtare të ish Bashkimit Sovjetik.

Procesi i “de-sovjetizimit” do t’i paraprijë atij të integrimit. U krijua një rregull e pashkruar – anëtarësimi në NATO do t’i hapë rrugë integrimit në UE. Nuk ishte rastësi, por një leksion i mësuar nga Lufta e Dytë Botërore. Nuk mjaftoi vetëm ndërrimi i një sistemi totalitar me një sistem demokratik në Gjermaninë naziste për ta sjellë në këtë gjendje ku ajo gjendet, por ishte i nevojshëm edhe “de-nazizimi”. Ngjashëm, ndërrimit të sistemit komunist me një demokratik i duhej një “natoizim” për “de-sovjetizim”, që të mund të ishte i gatshëm për integrim. Se kjo vërtet ishte mësim i marrë nga Gjermania fashiste si argument e kam thënien e një profesori gjerman në një konferencë ndërkombëtare në Norvegji, ku diskutohej Serbia post-Millosheviqit. Profesori në moshë u la një porosi shumë domethënëse kolegëve serbë, që ishin kundër Milloshevi:. “Ju serbët nuk jeni me fat si ne gjermanët. Serbia u mund, por nuk u pushtua, gjë që na ndodhi neve pas Luftës së Dytë botërore. Ne sot jemi mirënjohës për te. Ajo na mundësoi ‘de-nazizimin’. Ju e humbët luftën, e larguat nga pushteti Millosheviqin, por keni nevojë për procesin e ‘de-millosheviqizimit’. Ndërkaq atë

vetë nuk do të mund ta bëni”. Shikuar nga kjo distancë kohore, shoh sa shumë të drejtë kishte pasur profesori i moshuar. Për këtë sot paguajnë çmim shqiptarët, regjioni, por edhe më gjerë Evropa dhe rendi botërorë.

Serbia nuk u pushtua, nuk u “de-milloshqeviqizua”, edhe nuk premtoi se do të bëhej pjesë e NATO-s. Ajo shpalli “neutralitet”. Gabim i madh. Shumë herë e kemi përmendur, ndërsa kësaj radhe do ta potencojmë përsëri se një nga shkaqet, në mos kryesori, pse regjioni ngecë në integrime është vendimi i administratës amerikane për heqjen e dy kushteve kryesore ndaj Serbisë për pranim në UE: anëtarësimi në NATO dhe pranimi i Kosovës si shtet i pavarur. Ky vendim la pasoja të paparapara për regjionin dhe më gjerë. Së pari e ruajti ëndrrën ruse për Ballkanin dhe e dyta Serbia u shpërblye për rezistencën 72-ditëshe që i bëri NATO-s.

Shqiptarët dhe shtet e Ballkanit sot janë viktimë e Serbisë, që nuk u “natoizua” për t’u integruar. Perëndimit dhe Amerikës kjo i kushtoi me një Ballkan jashtë Evropës, por mbi gjitha edhe me humbjen e Krimesë dhe Ukrainës. Nuk duhet harruar se ambiciet e NATO-s ishin dhe mbeten Kaspiku. Të konstatoj: nga partneriteti shqiptaro-amerikane dolën fitues të dy palët – u garantua ekzistenca e shqiptarëve (pavarësi pa sovranitet e Kosovës), ndrësa Amerika u pozicionua në truall të sigurt, që i mundësoi zgjerim dhe “de-sovjetizim” në Evropës Lindore,e dhe pse as njëra as tjetra nuk arritën fitore të plotë.

Pyetja që shtrohet është se çka bëjmë me partneritetin shqiptaro-amerikan në kohën post-Willsoniste, në kohën e Amerikës izocionaliste të Trump-it? Cili është interesi e cili është partneriteti strategjik? Çka nëse kjo politikë izocionaliste e Amerikës vazhdon edhe pas Trump-it? Çka nëse lufta tregtare ndërmjet Amerikës e Evropës (Gjermanisë) mbaron me ushtri evropiane (gjermane) dhe zhbërje të NATO-s? Çka me fuqitë e reja, që paraqiten në regjion, si Kina, Turqia e Rusia? Do të kemi një tango strategjike shqiptaro-amerikane apo një lojë ritmike pa strategji, në të cilën sipas muzikës e ndërrojmë edhe partnerin? As shqiptarët e as amerikanë nuk janë që nuk e kanë luajtur këtë lojë. A do të mbeten shqiptarët shteti amerikan që do t’i mundësojë kontroll kontinentit dhe botës islame, siç deklaron radikali serb, Voisllav Sheshel, në një intervistë televizive? Ideja, edhe pse vjen nga një armik i përbetuar i shqiptarëve, duket intriguese. Por, kjo lidhje nuk mund të jetë vetëm emocionale, por kërkon një qasje në racionale, nga bashkëpunimi si koincidencë interesi në partneritet strategjik. Ajo duhet të jetë një tango e re, ku partnerët duhet të njihen mirë, ku nuk do të shkelen me këmbë, por do të bëjnë lëvizje të akorduara, por edhe të ndihmohen e

korrigjohen. Të vihen shqiptarët në rolin e nyjës lidhëse ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, ky do të ishte një pozicion shumë i rëndësishëm, që kërkon investim në dije, investim ekonomik, diplomatik e politik, por edhe ideologjik e ushtarak. Shqiptarët jo se nuk i plotësojnë parakushtet. Ata janë popull autokton, i dallueshëm nga popujt përreth, të pamjaftueshëm për t’u ballafaquar vetë me të tjerët përreth. Janë myslimanë, por edhe të krishterë, janë vitalë, agresivë në treg dhe i njohin të dyja mentalitete. Ata janë ushtarë të mirë, siç së fundmi do ta pranoj edhe vetë Shesheli, “nëse kanë komandë të mirë”. Si të tillë kanë nevojë për Amerikën, por edhe Amerika ka nevojë për një popull miqësor e besnik, që mund t’i lidhë dy krahët e Mediteranit.

Do të kemi tango strategjike apo muzikë ritmike pa strategji, ku sipas muzikës ndërrohet partneri, kjo është pyetje që kërkon përgjigje. Për momentin nuk e dimë, por duhet të fillohet të mendohet.