Copy Code

Vazhdon përhapja e gripit, zbrazen shkollat

Rritet numri i personave të prekur nga gripi. Gjatë javës së fundit janë regjistruar rreth 4000 raste të reja me grip, shifër kjo e cila është 26% më e lartë krahasuar me një javë më parë. Raporti i fundit i Institutit për Shëndet Publik tregon se mosha nga 15-64 vjeç është prekur më së shumti nga gripi, ndërkaq Shkupi ka qenë qyteti në të cilin janë regjistruar shumica e rasteve. Epidemiologët thonë se i lartë është edhe numri i pacientëve që kanë pësuar komplikime të rënda në organet e frymëmarrjes.

Javën e kaluar janë regjistruar 41 raste me infeksione akute respiratore serioze, prej të cilëve më shumë se 80% janë si pasojë e virusit , më së shumti influenca B por edhe raste me tipin e influencës A. Gripi është arsyeja dominante për infeksionet respiratore për këtë periudhë të vitit. Përveç vaksinimit e cila është mënyra më e mirë për tu mbrojtur është e nevojshme që t’ju shmangemi kontakteve me personat e sëmurë, gjegjësisht të sëmurët me grip. Gripi karakterizohet me temperaturë të lartë mbi 38 gradë celsius, kollitje etj – shpjegoi epidemiologu Vladimir Mikiq,

Ndërkohë shumë shkolla të vendit përballen me mungesë të madhe të nxënësve si pasojë e gripit. Në disa shkolla të Shkupit ka pasur klasa ku mësimi është zhvilluar me më pak se dhjetë nxënës.

Në krahasim me muajt tjerë ky muaj ka qenë më problematik. Kam pas rast që gjatë vitit të kaluar në një klasë kanë munguar 17-18 nxënës. Para dy jave realisht kam pasur mungesë tek një klasë e tetë prej 7-8 nxënësve, të cilët kanë munguar dy ditë. Drejtoresha ka dhënë apel që nxënësit të cilët janë me grip të mos kyçen në mësim – tha Nehat Curri, arsimtar sh.f “Imri Elezi”.

Mjekët rekomandojnë që personat të cilët kanë simptome të gripit si temperaturë të lartë, kollitje apo teshtima, të qëndrojnë brenda ambienteve të shtëpive dhe të ndërpresin kontaktin me persona të tjerë me qëllim që i njëjti të mos përhapet. Deri më tash, gjatë sezonit 2017-2018 gjithsej janë paraqitur 12.171 raste me grip. Ky numër është mesatarisht më i vogël krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deri më tash Gostivari, Tetova dhe Kumanova rezultojnë si qytetet në të cilat janë regjistruar shumica e rasteve me grip, që nga fillimi i sezonit.