Afrim Gashi për Anadolu Agency: Vizita në Turqi ka qenë në frymën e bashkëpunimit institucional mes dy vendeve dhe të sjellim investime të reja në vend

Kryetari i partisë AlternAtivA, Afrim Gashi, tha se në Ballkan nuk mund të ketë paqe afatgjate pa implikimin e Turqisë.

Gashi, në një intervistë për Anadolu Agency (AA), mes tjerash komentoi edhe integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, marrëdhëniet e Turqisë me popujt e Ballkanit e në veçanti me shqiptarët.

Ai rikujtoi vizitën e delegacionit të tij në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, ku u takuan me një sërë zyrtarësh të lartë, duke e vlerësuar vizitën shumë të frytshme.

Gashi potencoi se synimi i tyre në këtë vizitë ka qenë që të mundohen të sjellin investitorë turq në Maqedoninë e Veriut si dhe një bashkëpunim institucional mes dy vendeve.

 

 

Sipas tij, kohëve të fundit trendet globale tregojnë se betejat kryesore botërore zhvillohen për tregje, financa dhe pasuri materiale.

“Mendoj që goditja me bërryla apo tendenca e disa shteteve që të ndërpriten raportet e mira tradicionale të shqiptarëve dhe turqve mendoj se duhet t’i shohim më shumë nga ai dimension”, tha ai.