Copy Code

Zaev e ka gabim, shumica e shqiptarëve nuk kanë votuar BDI-në!

Xhevdet Hajredini
Para disa ditëve kryeministri Zoran Zaev, në një intervistë dhënë agjencisë MIA, të cilën e transmetuan edhe shumë media tjera, duke iu përgjigj pyetjes se a hoqi dorë nga shqiptarët të cilët votuan për LSDM-në dhe të cilët besojnë në përrallën “Një shoqëri për të gjithë”, kurse ishin kundër politikave që i praktikonte BDI-ja, deklaroi: “Të jemi realistë, pjesa më e madhe e shqiptarëve, prapë se prapë, votuan për BDI-në”. Se ky konstatim i Zaevit nuk është i vërtetë, në mënyrë precize iu përgjigj eksperti i talentuar Robert Nesimi, në analizën e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 2016, të botuar në gazetën “Nezavisen Vesnik”, të datës 10.04.2018.

Nga kjo analizë, duket qartë se Zaevi, për shkaqe që vetëm ai e dinë, nuk e thotë të vërtetën. E vërteta është se në këto zgjedhje për BDI-në kanë votuar vetëm 86 mijë votues shqiptarë, ose vetëm 1/3 e shqiptarëve që kanë dalë të votojnë, kurse 165 mijë kanë votuar për partitë opozitare shqiptare dhe për LSDM-në. Në mesin e atyre që votuan për BDI-në, gjenden edhe ata të cilët, jo pa përfitime personale, i shërbyen Gruevskit, Mijallkovit, Jankullovksës, Çavkovit, Janakievskit, në rolin e zëvendësve dhe ndihmësve të tyre, kundër të cilëve tash, duke i falënderuar faktorëve ndërkombëtarë, BE-së dhe ShBA-së, janë ngritë padi penale për vepra kriminele gjatë gjithë kohës sa kanë qenë në pushtet bashkë me BDI-në. Aty janë edhe votat e shumicës së atyre, që partia vite me radhë nga buxheti i shtetit pa kurrfarë bazë ligjore, i paguan dhe për të ndejtë në shtëpi, përfshirë këtu edhe anëtarët e familjeve të tyre (prindërit, gjyshërit dhe gjyshet, motrat dhe vëllezërit).

Lideri i BDI-së mund të na bind se kështu veprojnë partitë edhe në shtetet anëtare të BE-së dhe të NATO-s, pasi pa ndërprerë e përsërit se sa angazhohet ta integrojë Maqedoninë. Më në fund Ali Ahmeti në këtë drejtim ndërmori edhe një hap konkret, duke e propozuar Llazar Elenovskin, të dërguar të posaçëm të qeverisë së Maqedonisë për çështjet e integrimit në NATO në Bruksel. Nga kumtesa e BDI-së kuptuam se Llazar Elenovski qenka një profesionit jashtëzakonisht i mirë, se me dijen dhe përvojën e tij, do të jep kontribut të rëndësishëm për bërjen realitet të aspiratave euroatlantike të Republikës së Maqedonisë.

Elenovski edhe deri tani, si kuadër i BDI-së, ishte ambasador i Maqedonisë në Bruksel. Është e pakuptueshme se si 3 partitë maqedonase, anëtar i të cilave ka qenë (i njërës edhe tani është kryetar), nuk e propozojnë si kuadër të vetin. Mos ndoshta këta nacionalistë nuk ia falin pse nënën nuk e ka maqedonase, kurse internacionalistëve proletarë të BDI-së, nuk ju pengon pse babën e ka maqedonas. Sidoqoftë, në këtë mënyrë Ali Ahmeti e siguron se merita për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO do t’i takoj atij. Me këtë deklaratë, Zaevi me ose pa qellim, e nënçmon kontributin e dy të tretave të votuesve shqiptarë, të cilët, duke mos votuar për BDI-në, e bënë të mundur rrëzimin e regjimit kriminel dhe të kapur dhe te korruptuar të VMRO-së dhe BDI-së.

Rrëzimin të cilin gjatë krizës afër 3 vjeçare mbështetej nga Rusia dhe i bënte rezistencë perëndimit. Po aq shpejtë do t’i harrojmë përpjekjet dhe mundin e përfaqësuesve të BE-së dhe NATO-s, e veç e veç SHBA-ve, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës etj, për t’i detyruar udhëheqësit e VMRO-së dhe BDI-së, t’i pranojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e krizës së thellë në të cilën e futën Maqedoninë. Ngjashëm veproi Zaevi edhe kur, pa nevojë, bashkë me Ljube Boshkovskin, e bënë të mundur BDI-ja t’i fitoj zgjedhjet lokale. Pa votat e këtyre dy partive, BDI-ja ndoshta nuk do të kishte asnjë kryetarë komune. Nuk kishte nevojë Zaevi shqiptarëve të Tetovës, Çairit, Strugës…, t’ju premtoj se ai vetë do t’i realizojë ato kërkesa të cilat i kishin premtuar dhe nuk i realizuan kryetarët e BDI-së.

Me këtë sjellje, ai në mënyrë të vrazhdë i dëmtoi kandidatët e partive tjera kurse këto parti pa kushte e përkrahën formimin e qeverisë së tij. Edhe pse premtoi ministri i LSDM-së Oliver Spasovski, as që i kërkon grupet e armatosura të cilët me breshëri plumbash nga disa lloj armësh zjarri, e festuan në sheshin Skënderbe, fitoren e kryetarit të Çairit, të cilën e arritën me ndihmën e anëtarëve të LSDM-së. Të frikësuar nga krismat e shumta, udhëheqësit e pranishëm të BDI-së, i pamë se si i fshehnin kokat ndërmjet këmbëve. Të njëjtit udhëheqës “trima”, të cilët, jo shumë larg këtij sheshi, para disa viteve në pikë të natës “morën guximin” ta gërvishtin bustin e Car Dushanit.

Një ndër ata, edhe pse gjendej në postin e deputetit zëdhënës i partisë dhe përkthyes i kryetarit të partisë, i cili, maqedonishten nuk e din vetëm kur flet zyrtarisht, i pa informuar se kush, kur dhe ku do vendoset busti i Nexhat Agollit, i pa durueshëm nga dashuria ndaj tij, shkon e bën selfien pranë bustit të Metodia Shatorov Sharllos. Këto metoda dhe forma, të ushtrimit të politikës nga ana e BDI-së, si dhe sjellja e funksionarëve të saj ishin shkak që zgjedhësit shqiptarë, dy të tretat e tyre, të votojnë për parti tjera. Prandaj, është koha kur edhe Zaevi,”duhet të jetë realistë” dhe BDI-në të mos e trajtoj si parti për të cilën votuan pjesa më e madhe e shqiptarëve.